Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi .rel

Thaçi: Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë, shqetësim i jashtëzakonshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se “shkelja e dyfishtë” e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe sipas tij, është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.

Ky reagim i presidentit ka ardhur pasi Gjykata Kushtetuese sot e ka shpallur jokushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ta shpallur zonë karantine territorin e komunës së Prizrenit.

Sipas Thaçit, edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm.

“Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

“Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tone”, ka shtuar ai.

Thaçi ka theksuar se si president i vendit e dënon ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese dhe sipas tij, veprimet e tilla janë të papranueshme.

“Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj. Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues!”, thuhet në publikimin e tij.

Në rastin e parë, me 31 mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur në lidhje me kërkesën e Presidentit për vlerësimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja kishte vendosur se vendimi i Qeverisë marrë me 23 mars 2020 nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës  në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhej në vendimin e gjykatës.