Takimi Thaçi - Kurti më 6 janar 2020. Foto: KALLXO.com

Thaçi sërish thirrje Kurtit: Vendimi i nënshkruar për mandatar është në tavolinën time

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë sërish thirrje kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurtit që t’i përgjigjet zyrtarisht me marrjen ose refuzimin e mandatarit për krijimin e qeverisë.

Presidenti në një adresim para gazetarëve sot, ka thënë se vendimi i nënshkruar nga ana e tij, për mandatarin gjendet i gatshëm në tavolinën e tij të punës.

“Dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdon të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për kryeministër. Nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston, është në tavolinën time. Vullneti i qytetarëve të Kosovës është më i madh se çdo lider dhe vullneti për të lëvizur më shpejt i qytetarëve është më i madh sesa pretendimi për të mbajtur peng një proces, një shtet dhe një popull”, ka thënë presidenti.

Thaçi ka shtuar se e ka nënshkruar vendimin pasi ka pritur se Kurti do ta marrë mandatarin.

“Unë pres që vendimi të cilin veç e kam nënshkruar, duke menduar se do ta merr, pasi që veç është deklaruar, ka emëruar gjysmën e qeverisë, prandaj është krejt normale, e logjikshme dhe e përgjegjshsme që në kuptimin ose fizik se përmes komunikimit tjetër të pranojë edhe  zyrtaisht nomimin si kandidat për kryeministër. Nëse jo, atëherë është e drejtë e tij e refuzimit publik, zyrtar që nuk është i gatshëm”, është shprehur ai.

Sipas presidentit, aktualisht adresa e zgjidhjes së këtij ngërçit është tek partitë politike.

“Ndërsa në momentin që kalon në një fazë tjetër, presidenti i vendit duke ushtruar të drejtën e vet kushtetuese dhe ligjore natyrisht se do të punojë me tërë potencialin dhe në konsultim me partitë politike që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

I pyetur nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë gjendje politike, Thaçi tha se njëherë do të shtjerren të gjitha mundësitë politike.

Shtatë letra kanë shkëmbyer mes vete Thaçi dhe Kurti, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor 2019, ndërsa Vetëvendosje ende nuk e ka propozuar mandatarin për kryeministër në Zyrën e Presidentit, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar koalicionin qeverisës.

Letrat e presidentit – politike dhe pa bazë kushtetuese

.