Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit për Mini-Schengenin

Presidenti i  Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në Samitin e Ohrit ku po diskutohet për Mini-Schengenin ballkanik.

Thaçi ka bërë të ditur arsyet e këtij refuzimi që sipas tij përfshin edhe “anashkalimin që Serbia i kishte bërë Kosovës në samitin e kaluar rajonal.

Ai ka shtuar se Kosova ka vizion për pranim në BE dhe nuk e zëvendëson këtë aspiratë.

“Vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale”, shkroi ai.

Sipas tij kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar”,shtoi Thaçi.

Ai përfundoi duke thënë se Kosova është e përkushtuar për njohje reciproke dhe vetëm kur kjo do të ndodhë do të marrin pjesë në iniciativa të tilla rajonale.

Samiti i Ohrit për iniciativën për Mini-Schengenin nisi pas vendimit të BE-së për të mos i hapur negociatat për pranim të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.