Foto: Kallxo.com

Thaçi reagon pas thirrjes së Gjykatës Speciale për Kadri Veselin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas lajmit se edhe ish-shoku i tij i luftës, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është ftuar nga Gjykata Speciale.

Sipas presidentit, nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë Kadri Veselin dhe luftën e tij për çlirim.

“Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj”, ka shkruar Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Sot gjatë ditës, Kadri Veseli njoftoi se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, ku do të shkojë më 4 dhjetor.

Ndërsa, ky është reagimi i plotë i presidentit Thaçi:

Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi. Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij.

Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.

Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin”.