Thaçi: Qytetarët po tregojnë disiplinë e sakrificë në luftën kundër coronavirusit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka falënderuar të gjithë përgjegjësit  e institucioneve të vendit në luftën ndaj coronavirusit.

“Më lejoni të falënderoj përgjegjësit e institucioneve shëndetësore, të gjithë mjekët, veteranët, gjithashtu policët, pjesëtarët e FSK-së, furrtarët, biznesin, të gjithë ata njerëz që janë duke u përballur me situatën e re e të rëndë të krijuar pas coronavirusit”, tha presidenti sot në një adresim para gazetarëve, pas takimeve me liderët e partive politike.

Ai shtoi se qytetarët po tregojnë disiplinë dhe sakrificë, e cila është në të mirën e gjithë shoqërisë.

“Është mbresëlënëse se duke respektuar këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, në tërësi, qytetarët e Kosovës po tregojnë disiplinë e në të njëjtën kohë janë duke sakrifikuar e kjo është në interes të shëndetit për tërë shoqërinë”, tha ai.

Thaçi i ftoi sërish qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Kam besim të plotë se respektuar rekomandiemt dhe këshillat do ta tejkalojmë edhe këtë situatë të rëndë të coronavirusit. Edhe këto ditë ju ftoj qytetar të nderuar të respektoni këshillta e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë, pa krijuar panik ndërkaq të prekurve ju urojmë shërim sa më të shpejt”, theksoi presidenti.

Kreu i shtetit në fund nuk pranoi pyetje të gazetarëve.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 112 raste me coronavirus, përderisa është shënuar  1 viktimë dhe 6 persona janë shëruar.