Thaçi: Qeveria ka dështuar në qasjen për rimëkëmbje ekonomike

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi me të cilin kanë folur për nevojën e një pakoje për rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së COVID-19.

Berat Rukiqi, kryetar i OEK tha se duhet bashkëpunim institucional për të dalë nga gjendja ekonomike e krijuar pas pandemisë.

“Me presidentin sot diskutuam gjendjen e bizneseve në përgjithësi, diskutuam efektin e masave dhe normalisht diskutuam sa i përket mundësisë së rimëkëmbjes ekonomike dhe rolit institucional të nevojës për koordinim institucional për me pa se një pako adekuate për rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai në konferencë për media.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se Qeveria Kurti ka dështuar sa i përket qasjes ndaj rimëkëmbjes ekonomike.

“Është jetike që të nxirret një pako e qartë në përputhshmëri me interesat dhe nevojat të biznesit në mënyrë që të kemi një rikthim të ekonomisë. Deri më tani kemi pasur një qasje joserioze dhe jo profesionale dhe të dështuar  të Qeverisë së Kosovës sa i përket qasjes së rimëkëmbjes ekonomike, por duhet të vazhdohet edhe me implementimin e plotë të të gjitha investimeve kapitale çfarë kanë qenë në proces si dhe hapjen e mundësive të tjera”, tha Thaçi.