Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Foto: Facebook

Thaçi-Presidentit të Këshillit Evropian: Sa më parë të merret vendimi për liberalizimin e vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet sot pasdite, nën organizimin e Kroacisë si kryesuese e radhës e BE-së.

Presidenca njofton se Thaçi dhe Michel u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe se mesazh pozitiv në këtë drejtim është edhe mbajtja e Samitit të Zagrebit.

Presidenti Thaçi ka kërkuar që shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave.

“Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID19, angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik. Po ashtu, nga të dy palët u theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe koordinimit të BE-së me shtetet anëtare dhe aktorët tjerë që kanë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Thaçi sot ka zhvilluar bisedë telefonike me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Zagrebit që do të mbahet pasditen e sotme.

Zyra e Presidentit ka njoftuar se Thaçi shprehu mirënjohje për këmbënguljen e Kroacisë që të mbahet Samiti i Zagrebit edhe në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19.