Thaçi përfundon intervistimin në ditën e dytë në Hagë

Presidenti Hashim Thaçi pak minuta më parë ka përfunduar ditën e dytë të intervisitmit nga ana e Prokurorisë së Specializuar të Gjykatës Speciale.

Presidenti nuk është deklaruar para mediave, as pas përfundimit të marrjes në pyetje sot, përderisa ende nuk dihet zyrtarisht nëse intervistimi i tij do të vazhdojë të mërkurën apo jo.

Thaçi të hënën ka qëndruar rreth gjashtë orë brenda ambienteve të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pas intervsitimit ditën e djeshme, ai ka thënë se ka dëgjuar shkëmbime dhe sqarime mes avokatit të tij dhe prokurorëve, si dhe interesimet e prokurorëve për UÇK-në.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbime e teknalitete të ndryshme në mes avokatit z. Prosper dhe prokurorëve, do të thotë çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që do të vazhdon nesër”, tha ai të hënën, për t’u larguar menjëherë nga paraqitja para mediave.

Ftesa për intervistimin e Thaçit ka ardhur pas njoftimit për aktakuzë ndaj tij për krime kundër njerëzimit nga Prokurori i Specializuar, edhe pse aktakuza ndaj tij ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari.