Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti
Thaçi për konsultime me partitë politike, Kurti për zgjedhje pas pandemisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar nisjen e bisedimeve me partitë politike për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Nisma e tij, pason votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti. Por, ky i fundit e ka përjashtuar mundësinë që të nisin konsultimet për qeverinë e re, duke kërkuar që qeveria e tij të vazhdojë punën deri në përmbylljen e fazës së pandemisë së shpallur pas përhapjes së koronavirusit të ri.
Presidenti Thaçi ka thënë se fokusi i tij do të jetë të shmanget mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe mosshpërndarja e Kuvendit të Kosovës.
Por, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në një prononcim përmes postës elektronike dhënë Radios Evropa e Lirë, thanë se deklarata e presidentit Thaçi është jokushtetuese dhe se vendi pas pandemisë së COVID-19, duhet të shkojë në zgjedhje.
Vetëvendosje thotë se qeveria dhe kryeministri në detyrë, Kurti mbeten të përkushtuar që nga kjo situatë e krijuar nga koronavirusi i ri, vendi të dalë me numër sa më të vogël të personave të prekur me COVID-19.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, referuar nenit 82 ku flitet për shpërndarjen e kuvendit, pika 2 e tij, thekson që presidenti mund të shpërndajë kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit. Më tutje ne kemi tashmë dy dekrete, atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet e cekura, pas votimit të suksesshëm për mosbesimit ndaj qeverisë, kanë shpërndarë kuvendin, tashmë ka precedent dhe është shndërruar në normë”, thonë në Vetëvendosje.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit nga ana e 82 deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas situatës së krijuar nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, duhet vepruar në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Fillimisht duhet theksuar që tash pasi që është votuar mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë do të duhet të ndiqet e njëjta procedurë që ndiqet kur përfundon certifikimi i zgjedhjeve për formimin e qeverisë, pra sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, e kjo i bie që duhet të t’i jepet edhe njëherë mandati partisë së parë, që në rastin tonë është Lëvizja Vetëvendosje”, thotë Loxha.
“Sa i përket asaj se a do të pranojë Vetëvendosje të dërgojë edhe një emër të ri për kryeministër, nuk mund të paragjykoj dhe nuk e di nëse do të përgjigjet ose jo, por sipas rregullit, ne konsiderojmë që duhet përgjigjur dhe duhet të bëhen përpjekje për të formuar qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që është parti e veshur me mandatin e parë për të formuar një qeveri, në kuptimin kushtetues”, thotë Loxha.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës parasheh se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar qeverinë”.
Ndërkaq në nenin 82 thuhet se “kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të qeverisë”.
Por, për rrethanat aktuale shpërndarja e menjëhershme e kuvendit nga lidershipi i Kosovës po konsiderohet si moment jo i përshtatshëm për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Një ditë më parë edhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër.
Njohësi i zhvillimeve politike dhe i punës së Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi,në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se në situatën e krijuar pas mocionit të mosbesimit, Kushtetuta është e qartë se si duhet vepruar.
“Thirrja në precedent për shpërndarje të kuvendin pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj qeverisë, do të kishte kuptim sikur Kushtetua nuk do të kishte dispozita mjaftueshëm të qarta se si mund të veprohet në këso raste. Kushtetuta jonë është e qartë dhe jep opsione: I) nisjen e procedurave nga fillimi për zgjedhjen e qeverisë së re ose II) shpërndarjen e kuvendit. Opsioni i dytë do të duhej të ishte vetëm si rezultat i mungesës së shumicës parlamentare për të formuar qeverinë e re, apo, nëse ky është vullnet politik i 2/3-së së deputetëve të cilët do të votonin për shpërndarjen e kuvendit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Partnerët e koalicionit gjatë 50 ditëve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mospajtime. Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes ishin në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga Qeveria e kaluar e Kosovës dhe e cila ishte kërkuar vazhdimisht nga SHBA-ja dhe BE-ja që të shfuqizohet. /REL