Thaçi për akuzat e reja: Deklarohem i pafajshëm, nuk i kam kuptuar redaktimet e amandamenteve shtesë

Katër të krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë po përballen me akuza të reja. Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sot gjatë paraqitjes së tij në seancën gjyqësore, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për akuzat e reja deklaroi se është i pafajshëm duke shtuar se e ka lexuar lëndën por që nuk  e ka kuptuar.

“Deklarohem i pafajshëm. Megjithëse lëndën nuk e kam lexuar për këtë arsye dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pa fajshëm”, ka thënë Thaçi.

“Amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam mundu t’i lexoj. Nuk kam arritur prandaj edhe nuk i kam kuptuar dhe deklarohem i pa fajshëm”, ka ritheksuar ai.

Gjykatësi i  procedurës paraprake, Nicolas Guillou paraprakisht tha se sot nuk ka gjykim dhe se nuk do të vendoset fajësia apo pafajësia e të akuzuarit.

Sipas gjykatësit, ai do t’ ia lexojë të akuzuarit akuzat e paraqitura në akuzën e ndryshuar dhe do të konfirmojë nëse i njëjti i kupton ato.

“Sot nuk kemi gjykim, nuk do të paraqiten prova apo të debatohen prova dhe nuk do të diskutohet e as të vendoset fajësia apo pafajësia e  të akuzuarit. Qëllim i kësaj seance të mëtejshme rregullohet me nenin 39 të ligjit dhe rregullën 92 të rregullores. Në pajtim me këto dispozita, unë si gjykatës i procedurës paraprake ia lexoj të akuzuarit akuzat e paraqitura në akuzën e ndryshuar me gjuhën që e kupton dhe e flet”, ka gjykatësi Guillou.

“Konfirmoj nëse ai e kupton aktakuzën bindem që të drejtat e akuzuarit dhe veçanërisht e drejta e tij për të pasur avokat respektohet dhe se brenda 30 ditësh ai do të ftohet të vetë deklarohet fajtor ose jo fajtor në lidhje me secilën aktakuzë të ndryshuar. Në qoftë se i akuzuari dëshiron ta bëjë këtë, ai mund ta bëjë dhe deklarimin që sot, menjëherë”, ka shtuar gjykatësi.

Ndërkaq, avokati Gregory Kehoe për akuzat tha se janë shumë të redaktuara dhe se kjo e bën që klienti i tij (Thaçi) dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë ekzaktësisht se çka po paraqet Prokurori i Specializuar.

“Problemi për klientin tonë është që, si shumica e këtyre akuzave, ato janë shumë të redaktuara, emrat, vendet, koha dhe kjo është njësoj si dhe përpara dhe kjo e bën klientin tim, zotëri Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë ekzaktësisht se çka po paraqet Prokuroria e Specializuar. Kjo është një vështirësi e vazhdueshme. Ata vazhdojnë të shtojnë volume materialesh dhe me redaktime të shumta. Redaktime të shumta ka pasur përpara dhe po bëhen tani. Me këto redaktime është e pa mundur të kuptohet nga se për çfarë bëhet fjalë”, deklaroi Kehoe.

Avokati tha se i ka diskutuar këto çështje me Thaçin për të cilat ai tha se do të deklarohet i pafajshëm.

“I kemi diskutuar këto çështje me zotëri Thaçin dhe ai do të deklarohet i pa fajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

Sot, në seanca të ndara në Hagë do të bëhet paraqitja e mëtejshme e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime sipas prokurorisë janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetishtë.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Lidhur me këto raste, katër krerët e UÇK-së akuzohen për krime dhe vrasje, tortura, keqtrajtim në bazë të përgjegjësisë komanduese.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të vitit 2020 nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Sipas prokurorisë së specializuar gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli akzuohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.