FOTO: Hashim Thaçi/Twitter

Thaçi pasi takoi të gjitha partitë politike: Do të veproj në përputhje të plotë me Kushtetutën

Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi sot ka përfunduar takimet konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare, por në një komunikatë për media pas këtyre takimeve Presidenca nuk ka dhënë shumë detaje.

Presidenti vetëm ka thënë se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Presidenti Thaçi sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryetarin e AKR-së dhe ka pritur në takime të ndara përfaqësuesit e Listës Serbe, kryetarin e Nismës Socialdemokrate, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe kryetarin e AAK-së.

Zyra e presidentit ka theksuar se Thaçi është shprehur se Kosova gjendet në një situatë, e cila në njërën anë karakterizohet me rrezikun e shtuar nga pandemia e virusit COVID-19 dhe në anën tjetër me votën e mosbesimit për Qeverinë Kurti të datës 25 mars 2020.

“Në këto rrethana është qenësore që të konsultohemi dhe të veprojmë me përgjegjësi para qytetarëve”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas njoftimit, presidenti në secilin takim është shprehur se si president i vendit do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Thaçi, dje ka takuar Albin Kurtin e LVV-së, Isa Mustafën e LDK-së dhe Kadri Veselin e PDK-së.

Pas këtyre takimeve, të gjitha partitë politike parlamentare përveç Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se duhen shmangur zgjedhjet e reja.

Ndërkaq, nga takimi nuk ka pasur një ndonjë deklarim të Listës Serbe.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.