Foto: Zyra e Presidentit

Thaçi pas takimit me Lajçakun: Biseduam për marrëveshjen finale me njohje reciproke e anëtarësim në OKB

Presidenti i vendit Hashim Thaçi pas takimit me përfaqësuesin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. ka thënë se marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB.

“Para pak çastesh përfundova një takim me Lajçak, mund të konkludoj se bashkëbisedimi ynë dhe takimi në përgjithësi ka qenë korrekt, konstruktiv, bisedë e hapur dhe miqësore në drejtimin e gjetjes së mundësive për marrëveshjen finale me njohje reciproke dhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB “, tha ai.

Sipas Thaçit vetëm njohja reciproke mund të garantoj stabilitet në rajon.

“Ka ardhur momenti që BE të hidhet në tavolinë mundësia e diskutimit për njohje reciproke dhe duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes. Unë dua të besoj se vetëm njohja reciproke mund të jetë mundësi e mirë dhe e vetme që garanton stabilitet në rajon”, tha presidenti.

Lajçak do të qëndrojë tri ditë në Kosovë

Presidenti i Kosovës e ka ndërruar qëndrimin dhe qasjen e tij ndaj të emëruarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Thaçi, i cili më herët kundërshtonte emërimin e Lajçak si emisar për dialogun dhe ishte skeptik për suksesin që zyrtari i BE-së do të mund ta mbërrinte në procesin e negociatave, tashmë ka pasur një takim me të, të cilin e ka vlerësuar si të shkëlqyeshëm.Presidenti kosovar, në vazhdimësi ishte shprehur edhe kritik ndaj BE-së për dialogun e çështjen e vizave, ndërkaq tani është shprehur se Kosova ka nevojë për BE-në.

Para se Lajçak të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë  se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Presidenti Thaçi “i zbut” fjalët ndaj emisarit Lajçak dhe BE-së

“Në një nga votat vendimtare që i është premtu Kosovës në Interpol, në fund e ka mbyll telefonin dhe e ka votu kundër Kosovës është Mirosllav Lajçak”, tha Thaçi, duke u shprehur i zhgënjyer nga ana e BE-së për emërimin e mundshëm atë kohë  të Lajçakut.

“I kam thanë Lajçakut, në konferencën e sigurisë në Munich: “Miku im, kjo do të jetë një punë e mirë për juve, por ju nuk mund të arrini marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Pikë”, shtoi ai.

Në po të njëjtin muaj, kreu i shtetit të Kosovës, kishte deklaruar se BE-ja ka zero gjasa që ta bindë Serbinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk shihet as në horizont ndonjë shpresë që BE t’i bindë këto vende që ta njohin pavarësinë e Kosovës e lëre më për ta bindur Serbinë për ta njohur Kosovën, gjasat janë zero, nuk shoh as përpjekje është një rol dëshpërues nga Brukseli”, tha ai.

Pak kohë më vonë, në maj të këtij viti, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Personalisht unë si President i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga Presidenti Macron apo kancelarja Mekel, por nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, tha Thaçi në një konferencë për media.