Foto: Facebook/ Hashim Thaçi

Thaçi pas takimit me Grenell: Ditëve në vijim do të marrim vendime që e lehtësojnë dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me të dërguarin special të Donald Trump, Richard Grenell, në Munich, tha se pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd pritet të lansohet linja hekurudhore me Serbinë.

“Pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore, tash do të kemi edhe angazhime të tjera për linjën hekurudhore me Serbinë. Do të punojmë maksimalisht si institucione të Kosovës në aspektin politik dhe me të gjithë njerëzit që të arrijmë një marrëveshje finale me Serbinë, që nënkupton si dy vende të pavarura”, tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova beson në lidershipin udhëheqës të ShBA-së, siç është Richard Grenell.

“Është fat që kemi një njeri dinamik nga ShBA dhe po ndodhin gjëra, që të tjerët s’kanë mundur të imagjinojnë në dy dekadat e kaluara se mund të realizohen”, ka thënë më tej Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se ditëve në vijim, Kosova do të marrë vendime që do ta lehtësojnë dialogun Kosovë-Serbi.

“Kosova do të marrë vendimet e veta në ditët dhe javët e ardhshme, veprimet që do ta afrojnë Kosovën me BE dhe NATO. Në interes të Kosovës është që të merren veprime që e lehtësojnë procesin e dialogut dhe jo që e vështirësojnë, që e afrojnë Kosovën me BE dhe NATO dhe jo veprime që duken në shikim të parë politik dhe që vështirësojnë marrëdhëniet me BE”, ka shtuar ai duke kërkuar unitet politik në lidhje me këtë çështje.

Presidenti lavdëroi punën e ShBA-së, derisa theksoi se Kosova ndjehet e tradhtuar nga BE për shkak të mos liberalizimit të vizave.

“Shpresoj që BE do të jetë në mbështetje  të plotë të një procesi dinamik me ShBA, sepse ne synojmë që të jemi pjesë e saj,  por Kosova ndjehet e zhgënjyer nga BE dhe e tradhtuar sepse s’ka ndodhur liberalizimi i vizave, pavarësisht se Kosova i ka mbushur të gjitha kriteret e kërkuara”, ka shtuar në fund Thaçi.

Para se të takohej me Thaçin, Grenell ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka thënë se “sapo të hiqet taksa”, Serbia është e gatshme t’i kthehet dialogut me Kosovën.

Takimet janë zhvilluar disa ditë pasi ambasadori Grenell ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë taksën e vendosur më 2018 ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, në mënyrë që të zhbllokohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Vuçiq pas takimit me Grenellin: Dialogut i kthehemi pasi të hiqet taksa

www.kallxo.com