Thaçi: Nuk ka nevojë për panik dhe frikë, institucionet janë të gatshme për të vepruar

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se është duke i përcjellë me shumë vëmendje dhe me shumë kujdes zhvillimet rreth virusit COVID-19, përhapjen e tij në Kosovë, rrezikun që paraqet dhe reagimin e shtetit dhe shoqërisë sonë.

Sipas Thaçit qytetarët duhet t’i përcjellin udhëzimet e dhëna dhe ta ruajnë qetësinë e tyre pa shpërndarë panik.

“Sot na nevojitet kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim. Këto vlera e parime i kemi kalitur në sfidat që i kemi kaluar. Prandaj, ju bëj thirrje që të rrini të qetë, të kujdeseni për veten dhe familjet tuaja, të kufizoni lëvizjet, të mos dilni nga shtëpitë pa nevojë dhe të qëndroni sa më shumë brenda”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Tutje Thaçi ka thënë se janë duke përcjellë zhvillimet dhe institucionet janë të gatshme për t’u përballur me të gjitha situatat.

“Jini të sigurt që institucionet e shtetit janë duke e përcjellë çdo zhvillim dhe janë të gatshme të veprojnë në çdo rrethanë për t’iu dalë juve në ndihmë. Nuk ka nevojë për panik dhe frikë. Kemi përvojë me situata të rënda dhe institucionet tona janë të përgatitura të përballen me çdo situatë”, ka theksuar ai.

Deri më tani të gjitha vendet e rajonit përveç Malit të Zi janë prekur nga pandemia e coronavirusit. Aktualisht në Kosovë janë 15 raste.