Thaçi: Nuk jam pyetur as për vrasjet e pasluftës as për Shtëpinë e Verdhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë për të katërtën ditë me radhë.

Thaçi pas kësaj ka deklaruar për media se pavarësisht se intervistimi ka zgjatur shumë, është optimist për këtë çështje.

“Gjatë këtyre ditëve jam munduar që të sqaroj për rolin tim dhe përgjegjësitë e mia  që kam pasur gjatë luftës. Kam qenë  i shoqëruar nga avokati im gjatë këtyre ditëve dhe përkundër faktit se ka zgjatur shumë kemi pasur seancë pozitive”, tha ai.

Sipas Thaçit, tani mbetet në dorë të prokurorit dhe gjyqtarëve, por se pret që ata të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

“Tani i mbetetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë në paanshmëri dhe me mendje të hapur gjykimin, në rast se ata bëjnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme mund të vijë në përfundimin se asnjë krim dhe asnjë shkelje  nuk kam bërë, në çdo rast më lejoni të theksoj se lufta jonë ka qenë e drejtë sepse ka qenë luftë për liri dhe për këtë kemi pasur mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë”, tha më tej ai.

Presidenti mohoi se gjatë intervistimit është pyetur për vrasjet e pasluftës.

“Nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast”, tha ai.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e aktakuzës ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës por me personel ndërkombëtar.

Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Të hënën para se të fillonte intervistimi, presidenti Thaçi, i cili i ka mohuar akuzat, tha se është i gatshëm të përballet me atë, që ai e quajti sfidë të re, ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë Kosovës.

Akuzat e Prokurorisë së Posaçme i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre.

Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar.