Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thaçi: Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm në Uashington

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ndihet krenar që njohja nga Izraeli ka ardhur përmes Uashingtonit.

“Ajo që na bën neve shumë të lumtur dhe shumë krenarë, pas përpjekjeve të shumta kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpinë e Bardhë, pra erdhi nga apo përmes Uashingtonit. Do të kemi më tepër paqe”, tha presidenti në ngjarjen e organizuar me rastin e vitit të ri hebraik.

Thaçi theksoi senjohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm në Uashington.

“Presidenti Trump bëri të pamundurën, të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë. Derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Uashington, kam besim se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm në Uashington. Për mua përpjekjet tjera janë të kota”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në SHBA kanë nënshkruar një dokument zotimesh, por në të nuk përmendet njohja reciproke.