
Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Thaçi nga Haga: Nuk paraqes rrezik për askënd në politikë, nuk kam ambicie as për president, kryeministër apo deputet
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot (17.12.2024) ka pasur edhe një paraqitje në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Thaçi në fjalën e tij hyrëse tha se dëshiron që ta sqarojë edhe një herë se nuk është pjesë e garës politike e as nuk ka ndonjë ambicie as për president, as për kryeministër, as për deputet e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike.
“Unë dua të sqaroj edhe një herë, unë nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike” – tha Thaçi.
“E theksoj se nuk jam pengesë, e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës” – tha tutje ish-presidenti Thaçi në fjalën e tij gjatë gjykimit në Hagë.
Ai tutje shtoi se gjithë jetën e tij ka punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës me vizionin për anëtarësim në NATO, në Bashkimin Europian dhe raport special të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“E nderuara gjyqtare dëshiroj që të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i tyre nga palët në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, për cenimin e besimin e qytetarëve, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë” – vazhdoi ai.
Thaçi tha se para katër viteve në nëntor 2020 është ngritur aktakuzë kundër tij “vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit”, duke shtuar se një situatë e njëjtë është ripërsëritur prapë.
“Ju e dini para katër viteve në nëntor 2020 është ngritur aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjidhesha president i vendit, tash para 10 ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë” – tha tutje Thaçi.
Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Lidhur me këto akuza të reja ish-presidenti Thaçi, më 08.12.2024, tha se nuk do të deklarohet pasi tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.