Presidenti Thaçi vendos kurorë lulesh te pllaka përkujtimore në Burgun e Dubravës - Foto: Presidenca e Kosovës

Thaçi nga Burgu i Dubravës: Serbia do të ballafaqohet me drejtësinë për masakrat e kryera në Kosovë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vizituar sot Burgun e Dubravës për të përkujtuar të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh nga shteti i Serbisë.

Gjatë kësaj vizite, Thaçi tha se masakra në Burgun e Dubravës është ndër më mizoret, pasi që është kryer kundër të burgosurve të pambrojtur, gjë që është në kundërshtim me çdo konventë ndërkombëtare dhe çdo ligj ndërkombëtar.

Thaçi në vizitën e tij ka thënë se Kosova nuk do të ndalet deri sa të vihet drejtësia për mbi 13 mijë viktima civile të vrara nga shteti serb, mbi 400 masakra të kryera dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara nga aparati shtetëror serb.

“Serbia do të ballafaqohet me drejtësinë për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë kundër popullatës civile, dhe për të gjithë këto masakra që iu kanë ndodhur qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

21 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Milloseviq.

Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj 1999.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.

Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.