Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thaçi nga AUV: Në Kosovë janë trajtuar rreth 14 mijë qen endacakë

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se trajtimi i qenve në Kosovë duhet të bëhet me një plan të detajuar nga të gjitha komunat e vendit e jo vetëm në disa.

Ai ka thënë se deri në vitin 2018 në Kosovë janë trajtuar rreth 14 mijë qen endacakë.

Në “Kallxo Pernime”, Thaçi tha se qeveria e vendit i kishte ndarë një shumë prej 1 milion e 300 mijë euro në vitin 2017.

“Në vitin 2017, Qeveria e Kosovës duke e parë që gjendja me qentë endacakë është duke u bërë emergjente ka ndarë 1.3 milion euro për trajtimin e qenve endacakë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka menaxhuar këtë çështje, edhe pse nuk ka qenë obligim ligjor dhe në 2018 e kemi zhvilluar projektin e menaxhimit dhe trajtimit të qenve endacakë dhe nga ky projekt janë trajtuar rreth 14 mijë qenë”, tha Thaçi nga AUV.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga komunat që të fillojnë me manxhimin e qenve endacakë, ata mund t’i përcaktojnë modalitetet, kanë qenë të lirë në këtë pikë, por kjo nuk ka filluar, ose kanë filluar vetëm disa komuna në një numër të vogël”, deklaroi ai.

Ai tha se trajtimi i qenve endacakë duhet të bëhet nga të gjitha komunat.

“Trajtimi i qenve endacakë nuk mund të zgjidhet duke i trajtuar disa komuna e disa të tjera jo. Qentë endacakë nuk i njohin territoret e komunave, nëse komuna i trajton e komunat përreth jo i bie se është një politikë publike joefektive, për shkak se lëvizja e tyre është e pakontrolluar”, deklaroi ai.