Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thaçi nesër paraqitet në Gjykatën Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të paraqitet të hënën në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Thaçit do të fillojë nga ora 15:00. Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Sipas njoftimit të DhSK-së, aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike.

Siç bëhet më tej e ditur, gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.

Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në këtë link.

KALLXO.com ka raportuar të premten se një ditë pas fluturimit të Thaçit për në Hagë dhe jo vetëm, është bastisur shtëpia e tij në Qagllavicë nga njësitet e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Thaçi dha dorëheqje të enjten nga posti i presidentit. Ushtruese e detyrës së presidentit është Vjosa Osmani.

Aktakuza u konfirmua edhe për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Të njëjtit janë dërguar në Hagë gjatë javës së kaluar.