Foto: Hashim Thaçi/ Twitter

Thaçi nënshkruan dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme, kërkon nga Kuvendi ta miratojë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se e ka nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pas situatës së krijuar nga coronavirusi në Kosovë.

Thaçi i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta miratojë propozimin e tij.

“Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sonte me Këshillin e Sigurisë së Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i COVID – 19. Unë i bëj thirrje Kuvendit për unitet dhe ta ratifikojë atë”, ka shkruar presidenti në Twitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë të martën në mbrëmje i ka propozuar Kuvendit që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

“Sonte jam i detyruar t’i propozoj Kuvendit dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky dekret po ndodh për shkak të përhapjes së coronavirusit. Do t’i procedohet nesër Kuvendit”, tha presidenti Thaçi.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka konsideruar si masë ekstreme dhe të panevojshme shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kështu tha në një konferencë për media zëvendëskryeministri Haki Abazi.

“Kryeministri Kurti është shprehur se nuk është në pajtueshmëri për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që është propozuar nga presidenti Thaçi, për një gjendje duhet të përcillet situatat dhe të veprohet në një gjendje kur nevojitet një gjendje të tillë. Tani nuk është e nevojshme dhe nuk duhet të merret një vendim të tillë”, ka thënë Abazi.

Për t’u miratuar, propozimit të presidentit i duhen dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Qeveria: Gjendja e jashtëzakonshme e propozuar nga presidenti është masë ekstreme

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.