Thaçi në takimin me Borrellin: Kosova e zhgënjyer me BE-në për mos heqjen e vizave

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, ka thënë se vizita e parë që Borrell e zhvillon në Kosovë për të vazhduar tutje në rajon, e tregon rritjen e vëmendjes së BE-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Prandaj një vizitë e tillë është shumë e mirë se ardhur. Orientimi strategjik i Kosovës është shumë i qartë që Kosova të punojë edhe më fuqishëm që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Dhe në këtë drejtim Kosova është duke punuar fuqishëm në implementimin e të gjitha reformave qoftë në ekonomi, në politikë, në legjislacion, por edhe në kryerjen e obligimeve që ka për paqe dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me mos heqjen e vizave.

“Për fat të keq, e informova edhe zotëri Borrell në veçantë për liberalizmin e vizave Kosova është trajtuar padrejtësisht sepse Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret. Besoj dhe shprehi edhe sot zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës në mos nxjerrjen e vendimit nga ana e BE-së për liberalizimin e vizave”, ka theksuar ai.

Sipas presidentit, BE ka bërë një gabim strategjik me mos liberalizimin e vizave. “Ky izolim dhe diskriminim i shtetit të Kosovës është krejt i padrejtë”.

“Unë dua të besoj se me energjinë, potencialin dhe kurajon që zotëri Borrell do t’i jep politikës së jashtëm të BE kjo qasje do të ndryshojë urgjentisht. Do të doja të shohim një BE unik edhe për Kosovën”, tha Thaçi.

Presidenti i vendit tha se me përfaqësuesin e lartë të BE-së, kanë diskutuar edhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Z. Borrell ka përvojën e tij si njeri i politikës dhe diplomacisë, të cilën e vlerësoj lart dhe kam besimin që së bashku me ekipin e tij në koordinim me shtetet anëtarë të BE-s, do të punojë fuqishëm në garantimin e një procesi transparent, një dialogu që do të sjell rezultatet, paqe, stabilitet dhe të ardhme evropiane të sigurt.  Ajo që duhet të ndodhë është që z.Borrel të jetë i mbështetur në mënyrë unike nga të gjitha vendet e BE-së dhe të mos ndodhë si në muajt e fundit”, është shprehur ai.

Thaçi është shprehur optimist për marrëveshje me Serbinë.

“ E di që nuk do të jetë një proces i lehtë, por jam optimist se është i arritshëm. Prandaj pres edhe nga Brukseli edhe nga Uashingtoni një përpjekje të shtuar, koordinuar që të përmbyllet me sukses”, ka përfunduar ai.

Josep Borrel do të qëndrojë në Kosovë deri nesër, nga ku më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

LIVE Takimi Hashim Thaçi – Josep Borrell

LIVETakimi Hashim Thaçi – Josep Borrell

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 30 janvier 2020