Thaçi në Reçak: Drejtësia ndërkombëtare heshti për mos t'ia prishur qejfin Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta kanë bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak me rastin e 21 vjetorit të kësaj masakre të kryer nga forcat serbe.

Thaçi deklaroi se drejtësia ndërkombëtare ka heshtur përball gjenocidit dhe pastrimit etnik që ka ndodhur në Kosovë, që sipas tij, kjo për shkak që ‘mos t’ia prishin qefin Serbisë’.

“Edhe kjo masakër sikur gjithë masakrat do të jenë ato që do të kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Dua të shpreh revoltën time që si president I Kosovës edhe sot drejtësia ndërkombëtare për fat të keq, duke mos dashur që të ia prish qefin Serbisë, ka heshtur për zbardhjen e 400 masakrave të kryera në Kosovë; masakra e Recakut, e Izbicës, Krushës e shumë e shumë të tjera ka heshtur drejtësia ndërkombëtare edhe në rastin e dhunimit të 20 mijë grave shqiptare, të debimit të 800 mijë shqiptareve nga Kosova, sido që të jetë rrugëtimi jonë është ai euro-atlantik. Do të punojë fuqishëm që ta forcojmë edhe më tepër shtetin tonë por gjithmonë duke kërkuar drejtësinë që shteti I Serbisë duhet t’i jap llogari herët apo vonë për gjenocidin dhe pastrimin etnik që ka kryer”, tha ai.

Ai u shpreh i bindur se drejtësia heret apo vonë do të vihet në vend për këtë maskër dhe të tjerat.

“Edhe tendenca e fshehjes dhe mohimit të krimit nga autoritetet serbe për masakrën e Reçakut është një sjellje e mentalitetit të Sllobodan Milloshoviqit por në të njëjtën kohë kjo sjellje ka ardhur si rezultat për fat të keq i heshtjes ndërkombëtare për masakrën e Reçakut që për 20 vite të tëra përpos ambasadorit Walker nuk vinin për të vizituar e për të sensibilizuar këtë masakër kështu që ishte një shtytje dhe guxim I autoriteteve të Serbisë që të pretendojnë se mohuari makrën e Reçakut por nuk ka njeri në botë që e mohon krimin kundër njerizimit që ka kryer Serbia”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kujtojë fjalët të cilat ish-ambasadori amerikan, William Walker kishte thënë 21 vite më parë kur kishte vizituar Reçakun.

“Ishte një përgjegjësi por edhe një detyrim I imi për të qenë sot këtu bashkë me presidentin Thaçi dhe gjithë ju, për tu përkulur me nderim pakufishëm përpara kujtimit të fëmijëve të moshuarve e banorëve të Reçakut të masakruar barbarisht 21 vite më parë nga një akt që nuk mund të përmbyllej me saktë se sa me tre fjalë siç bëri 21 vite më parë ambasadori Walker ‘krim kundër njerëzimit’. Ishte e trishtë edhe kjo masakër – kjo sakrificë e pa shembull e popullit të Reçakut që shokoi mbarë popullin por që vuri në lëvizje diplomacinë botërore përmes konferencës së Rambujes për të kërkuar një zgjidhje dhe pastaj përmes ndërhyrjes së NATO-s”, u shpreh Meta.

Homazhe në këtë kompleks janë duke bërë edhe shumë qytetarë e zyrtarë tjerë të vendit.

Sikurse çdo vit tjetër, edhe këtë përvjetor, ish-ambasadori amerikan, William Walker ka ardhur në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar live gjatë homazheve të dy presidentëve shqiptarë.