Thaçi në prag të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kërkon që FSK të jetë në gatishmëri

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka pritur sot Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Ramën, me të cilin ka biseduar për nivelin e gatishmërisë së FSK-së për të ndihmuar në përballje me rrethanat e krijuara nga përhapja e COVID-19.

Në bazë të situatës së krijuar pas përhapjes së coronavirusit, presidenti ka kërkuar që FSK të jetë në gatishmëri.

“Presidenti Thaçi kërkoi që FSK-ja të jetë e mobilizuar, të rrisë deri në maksimum nivelin e gatishmërisë dhe të ndihmojë në preventimin, përballjen dhe tejkalimin e krizës”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Gjenerali Rama është shprehur se FSK-ja është në gjendje gatishmërie dhe ka kapacitetet që të përballet me çfarëdo nevoje, si me kapacitetet e veta mjekësore, ashtu edhe me kapacitetet logjistike.

“FSK-ja është e gatshme të veprojë në çdo kohë, në çdo pjesë të Kosovës”, citohet të ketë thënë gjeneral Rama.

Sipas komunikatës presidenti Thaçi është shprehur i kënaqur me nivelin e gatishmërisë së FSK-së dhe kapacitetet për të reaguar në çdo situatë.

“Mobilizimi i FSK-së është hapi i fundit para shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Aktualisht në Kosovë janë 16 raste të shfaqura me coronavirus, ndërsa dje FSK ka njoftuar se ka rritur gatishmërinë operacionale.

Qeveria shpall gjendje emergjente (Dokument)

.