Thaçi në përvjetorin e vendimit të GjND-së: Populli i Kosovës beson në drejtësinë ndërkombëtare

10 vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është shkelur asnjë nen i të Drejtës Ndërkombëtare.

Në përvjetorin e kësaj dite, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo ditë ka vulosur përfundimisht subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të ri të Kosovës.

“Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se populli i Kosovës ka besuar në drejtësinë ndërkombëtare, pavarësisht se ende nuk ka drejtësi për viktimat e luftës.

“Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, ka shkruar Thaçi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Gjatë fjalës së tij, atë kohë kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër gjykata është e mendimit se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK.

Ky konstatim erdhi pasi që Serbia e kishte dërguar shpalljen e Pavarësisë në këtë gjykatë për opinion ligjor.