Thaçi: Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme.

Në ‘Facebook’, presidenti ka shkruar se me vendimin për reciprocitet, Kurti vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat e ShBA-së dhe të BE-së.

“Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, në mbledhjen e saj të djeshme ka marrë vendim për masa shtesë të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Vendimi i ri parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.