Foto: ZPRK

Thaçi mirëpret vendimin e Këshillit Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kritikon BE-në për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vendimi i sotëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian për këto dy vende, për shqiptarët dhe për gjithë rajonin.

“Përkundër padrejtësive të vazhdueshme, më në fund edhe Bashkimi Evropian nisi të marrë vendime meritore dhe kjo uroj të jetë një kthesë e tyre për trajtim të barabartë të tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai në Facebook.

Megjithëkëtë, Thaçi ka shtuar se BE-ja po vazhdon ta diskriminojë Kosovën.

“Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian po vazhdon ta diskriminojë Kosovën duke e lënë të izoluar dhe ende pa statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ky është gabimi më i madh strategjik, që Bashkimi Evropian është duke e bërë kundër Kosovës”, thuhet në publikimin e tij.

Këshilli i BE-së i kanë dhënë dritë të gjelbër hapjes së negociatave për pranimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.