Foto: Kallxo.com

Thaçi mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me dekretin e tij për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri.

Thaçi ka shkruar se ka qenë i bindur se hapi i tij ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Tutje, Thaçi ka shkruar se partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të respektojnë vendimin e Gjykatës.

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit:

E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën.

Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.