Thaçi mesazh nga QKUK-ja: Rrini në shtëpi, mos dilni pa nevojë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Thaçi në një deklaratë për media pas vizitës ka thënë se ka respektuar protokollin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike duke e kufizuar lëvizjen brenda klinikave.

Po ashtu, Thaçi ka thënë se është bindur me profesionalizmin e personelit mjekësor dhe kapaciteteve të tyre.

“ Shëndeti i qytetarëve është në duart e mjekëve, profesionistëve, klinikave të QKUK-së, Institutit të Shëndetit Publik dhe kam besim të plotë, për këtë u binda edhe sot, në stafin mjekësor, në kapacitetet dhe profesionalizmin e tyre, që është model për rajonin. Jam i bindur se së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë situatë. Dëgjoni dhe respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. ”, është deklaruar ai.

Presidenti ritheksoi se mënyra më e mirë për të preventuar dhe luftuar virusin COVID19 është që qytetarët të rrinë në shtëpi.

“Duke qëndruar në shtëpi ruani veten, familjen dhe shoqërinë. Rrini në shtëpi, mos dilni pa nevojë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Dje, Presidenti Thaçi e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në kohë të caktuara si masë parandaluese për shpërndarjen e virusit COVID-19.

Ai ka thënë se vendimi i qeverisë Kurti është anti-kushtetues dhe u ka thënë qytetarëve që nuk janë të detyruar ta respektojnë.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 63 raste të infektimeve me virusin pandemik.