Thaçi: Liderët e BE-së të mos bëjnë gabimet e viteve '90
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar takimin që javën e kaluar kishte bashkë me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin.
Përmes një video-selfie, të publikuar në rrjetin social Instagram, Thaçi ka thënë që është zhgënjim i madh mosangazhimi i BE-së në rajon.
“Gjatë javës që lamë pas zhvilluam një darkë pune në Bruksel me znj. Mogherini. Të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor treguan përvojat e punës, sfidat dhe ballafaqimet për të ardhmen evropiane të vendeve tona. Ishte konkludim i përbashkët i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe një zhgënjim masiv i shprehur për mosangazhimin konkret të Bashkimit Evropian për shtetet e rajonit tonë”, ka thënë Thaçi.
Tutje presidenti Thaçi ka thënë se ky zhgënjim nga BE është duke u përcjellë edhe Kosovë, sidomos kur kemi parasysh çështjen e liberalizmit të vizave,
“Prandaj, BE-ja dhe liderët e saj, në këtë kohë të mos së vizionit të tyre duhet të dëshmojnë se nuk do t’i bëjnë gabimet e liderëve të fillim viteve të 90-ta të BE-së, në kohën e fillimit të krizës jugosllave.”, ka thënë ai.