Hashim Thaçi e Richard Grenell - Foto: Facebook/ Hashim Thaçi

Thaçi: Kurtin e kam mandatuar, i takon atij të formojë qeverinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para një darke pune me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, foli edhe për formimin e qeverisë.

Thaçi tha se tashmë është detyra e Albin Kurtit që të gjejë partner dhe të formojë qeverinë.

“Natyrisht se unë kam nominuar kandidatin për kryeministër, me kërkesën e tij, kryetarit të partisë së parë. Tash u mbetet partive politike që të punojnë dhe atij personalisht të gjejë partner që të bëjë shumicën e mjaftueshme, që të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ai gjithashtu tha se asnjë diplomat apo ambasador nuk është në Kosovë që të interferojë apo të bëjë presion në çështje të brendshme lokale të Kosovës.

“Ambasadori Grenell është i ngarkuari special i presidentit Trump, për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, nuk është për çështje lokale dhe të brendshme politike këtu. Sikurse nuk është asnjë diplomat që të interferojë apo të bëjë presion, qoftë edhe ambasador në Prishtinë në çështje të brendshme lokale, sepse është e drejtë e secilës parti politike të zgjedh partnerin”, tha Thaçi.

Edhe ambasadori Grenell mohoi të ketë ardhur për të ushtruar presion në LVV dhe LDK për formimin e koalicionit qeverisës.