Varreza e personave të vrarë në Krushë të Madhe gjatë masakrës së marsit 1999 - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Krimi në Krushë të Madhe, prej më të rëndëve nga shteti serb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar 21 vjetorin e masakrës në Krushë të Madhe të Rahovecit.

Thaci në Facebook ka shkruar se në Krushë të Madhe, para 21 viteve, për tri ditë me radhë, forcat serbe vranë dhe masakruan qindra banorë të pafajshëm, duke shkaktuar plagë të pashërueshme deri më sot.

“Edhe pas dy dekadash autorët e krimeve, tokës së djegur, masakrave gjithandej Kosovës, gjenocidit dhe dëbimit masiv të popullatës shqiptare, nuk u vunë para drejtësisë, as vendore as ndërkombëtare. Krimi në Krushë të Madhe hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë”, thuhet në publikimin e presidentit.

21 vite më parë, më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.