Thaçi komenton paralajmërimin e Kurtit për reciprocitet me Serbinë

Presidenti i vendit Hashim Thaçi e ka cilësuar si iniciativë të mirëseardhur kërkesën e SHBA-së që Serbia duhet ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kurse Kosova duhet ta heq tarifën 100 përqind  ndaj produkteve serbe.

Thaçi në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe, është shprehur se çdo sukses i Kosovës është meritë e institucioneve të Kosovës, por është edhe rezultat i bashkëpunimit me partnerët në SHBA dhe Evropë.

“Nuk mund të paramendoj që Kosova të përparojë pa bashkëpunim me partnerët tanë”, është shprehur ai.

Sa i përket paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurtit, për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet, Thaçi ka thënë se Prishtina duhet të mendojë për shumë gjëra.

“Nuk guxojmë të marrim vendime populiste – për të thënë se po e ndëshkojmë Serbinë, kurse në të vërtetë të largohemi nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja. Konfrontimi me Serbinë nuk ndihmon marrëdhëniet e Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin, kurse zgjidhja e vetme ku të gjithë përfitojnë është arritja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi për BBC-në.

BBC tutje shkruan se fakti që presidenti dhe kryeministri i porsazgjedhur janë shfaqur ndaras në Konferencën e Sigurisë në Munih, si dhe që pikëpamjet e tyre dallojnë sepse vijnë nga opsionet e ndryshme politike, Thaçi e sheh si arsye për bisedime brenda Kosovës.

“Qeveria dhe opozita duhet t’i harmonizojnë qëndrimet, duhet të shfaqemi të unifikuar para Serbisë – pa dallime mes nesh”, është shprehur ai.

Thaçi nuk ka treguar se cilat janë temat e ardhshme në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke pasur parasysh që publiku nuk ka ditur asgjë as për negociatat që lidhen e komunikacionin.

“Ende jemi duke shqyrtuar cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm. Kam besim në rolin e ambasadorit Grenell dhe besoj se ai do të jetë i suksesshëm në rolin e tij”, thotë Thaçi.

Me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell , Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për linjë të fluturimeve, hekurudhave dhe autostradave Prishtinë-Beograd, përderisa dialogu në nivel politik mes të dyja shteteve është pezulluar që nga fundi i vitit 2018, kur Kosova i vuri tarifën 100 përqind produkteve serbe.

Ministrja Rozeta Hajdari merr hapa drejt zëvendësimit të tarifës me reciprocitet