Thaçi: Kam iniciuar krijimin e mekanizmave të rinj për adresimin e çështjeve të komunitetit LGBTIQ
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vendi ynë, institucionet tona, duhet të vazhdojnë të punojnë për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë.
Thaçi ka thënë se ai ka iniciuar krijimin e mekanizmave të rinj në kuadër të zyrës së tij për adresimin e çështjeve të komunitetit LGBTIQ.
“Si President i Kosovës tashmë kam iniciuar krijimin e mekanizmave të rinj institucionalë në kuadër të Zyrës së Presidentit për t’i adresuar çështjet e komunitetit LGBTIQ në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Postimit të tij, Thaçi ia ka bashkëngjitur edhe një fotografi me një dedikim për 17 Majin, Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.
“Shoqëri gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe respektuese, nënkupton që të gjithë ne shohim përtej orientimit seksual apo identitetit gjinor. Në shënim të IDAHOBIT, ne shprehim përkushtimin tonë për të luftuar homofobinë, transfobinë dhe bifobinë. Të luftojmë pa u ndalur për të drejta të barabarta për të gjithë”, ka thënë Thaçi.