Thaçi jep detaje tjera nga takimi me ambasadorët e Quintit

Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi, për herë të dytë ka njoftuar për takimin e sotëm që ka pasur me ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.

Zyra e Presidentit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur, se në këtë takim, presidenti me përfaqësuesit ndërkombëtar ka biseduar për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës pas lirimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe për nevojën për të pasur institucione funksionale në vend.

Në këtë takim, ku morën pjesë Ambasadori i ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, presidenti Thaçi theksoi rëndësinë e respektimit të institucioneve të pavarura.

Sipas njoftimit, presidenti Thaçi foli edhe për Samitin e Zagrebit dhe shprehu zhgënjimin e tij që “kur është folur për Kosovën, çështja e liberalizimit të vizave që nuk ishte në agjendë, nuk është përmendur, me të vetmin përjashtim Kryeministrin e Italisë, për të cilin presidenti Thaçi shprehu mirënjohje”.

“Kjo është zhgënjyese dhe demoralizuese për qytetarët dhe për politikanët”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Paraditen e sotme, në një publikim në Twitter, presidenti njoftoi për takimin në fjalë, duke theksuar se respektimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht Gjykatës Kushtetuese, është jetike për demokracinë.

“Takim i mirë me ambasadorët e Quint dhe përfaqësuesen special të BE-së, për të diskutuar rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19 dhe forcimin e institucioneve demokratike. Respektimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, është jetike për demokracinë”, thuhej në publikimin e presidentit.

Thaçi takon ambasadorët e Quintit: Respektimi i Kushtetueses, jetike për demokracinë