Takimi Thaçi - Kurti më 6 janar 2020. Foto: KALLXO.com

Thaçi i shkruan Kurtit: Po pres propozimin për mandatarin e ri (DOKUMENT)

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shkruar letër Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku i ka kërkuar që në emër të Lëvizjes Vetëvendosje t’i dërgojë emrin e kandidatit për kryeministër.

Në këtë letër, presidenti Thaçi i kujton Albin Kurtit se ka zhvilluar konsultime me partitë politike pas mocionit të mos-besimit ndaj Qeverisë dhe që shumica e partive politike janë për krijimin e një qeverie të re.

Presidenti shkruan se qytetarët dhe partitë politike janë në pritje të mandatimit të kandidatit të ri për Kryeministër nga ana e Presidentit.

Në po këtë letër, nuk përmendet ndonjë afat kohor deri kur Thaçi do ta presë Lëvizjen Vetëvendosje për të propozuar kandidatin për Kryeministër.