Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi i përgjigjet Vuçiqit për masakrat në Kosovë

 

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një fabrikim”.

Thaçi përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, “Twitter” ka thënë se paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve “Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.

 

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit. Pas dënimit me dy vjet burg të ish ministrit të Administratës dhe Publikut Lokal në Kosovë, Ivan Todosijeviq për shkak të veprës penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, kishte reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i cili masakrën e Reçakut po ashtu e ka quajtur “fabrikim”. “Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, ka thënë Vuçiq. Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur./21Media

Deklarata për masakrën e Reçakut, Vuçiq mund të përballet me Prokurorinë Speciale të Kosovës

.