Arkiv - Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti

Thaçi fton Kurtin në takim për hapat e mëtutjeshëm pas mocionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar ftesë kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për t’u takuar.

Takimi është paraparë të mbahet të mërkurën më 1 prill në ora 10:00 në zyrën e presidentit.

Ky takim është thirrur për tu konsultuar për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren pas rrëzimit të qeverisë Kurti me mocion mosbesimi.

“Pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë. Në këtë drejtim, Ju ftoj që të merrni pjesë në takimin konsultativ për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Takimi do të mbahet më datë 1.04.2020, duke filluar nga ora 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, shkruan në ftesë.

Më 25 mars Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin u rrëzua  nga një mocion i mosbesimit i inicuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.