Thaçi flet për mohimin e masakrës së Reçakut nga Serbia

Presidenti i vendit, në Konferencën Vjetore të Prokurorisë së Shtetit, ka folur për mohimin e masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë.

“Nuk mund të mos shpreh shqetësimin që njerëzit në Kosovë nuk janë të kënaqur me drejtësinë, apo viktimat kërkojnë drejtësi me plotë të drejtë, por që edhe kanë ndodhur lëshime në këtë proces është fakt i pamohueshëm që nuk mund ta mohoj askush. Lëshime në kuptimin edhe të mos efikasitetit në punë por edhe të selektimit etnik në drejtësi”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka thënë se Kosova ka pasur rreth 13 mijë civil shqiptar të vrarë në Kosovë gjatë viteve 1998- 1999, rreth 20 mijë gra të dhunuara nga aparati i dhunës serbe, rreth 1300 fëmijë të vrarë shqiptar, mbi 400 masakra të evidentuara kundër popullatës civile, në Likoshan, Prekaz, Izbicë, Mehë, Krushë, Reçak.

“Pikërisht këto lëshime që kanë ndodhur me ose pa qëllim kanë krijuar një rrethanë që po  rëndon rritjen e paqes, bashkëpunimit dhe pajtimit. Për të gjitha këto krime që fola nuk ka ndodhur drejtësi as nga UNMIK , as nga EULEX as nga Tribunali i Hagës. Është një shqetësim, edhe drejtësia e UNMIK edhe e EULEX kanë konstatuar se ata që kanë kryer krime nga Serbia në Kosovë, me ata nuk duhet të merremi ne si UNMIK në Kosovë, duhet të merret Serbia. Kjo është 100 % amnisti për ata që kanë kryer gjenocid, dhe vrasje masive në Kosovë, sepse Serbia nuk i ndjek ata, por i vlerëson si heronj dhe u mban në pushtet”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se rezultati i kësaj amnisti është se jo vetëm që kemi mohime nga Autoritetet e Serbisë për masakrat në Kosovë, por me trimëri dhe guxim pretendojnë që të mohojnë krimet në Kosovës.

“Unë i jam mirënjohës shteteve të QUINT-it që pas 20 viteve, folën për masakrën e Reçakut, më mirë vonë se kurr, por sikur të flitej kjo më herët në mënyrë permanente natyrisht se nuk do të kishte hapësirë trimërie, guxim e krenari të Serbisë që të mohojnë zyrtarisht gjenocidin dhe krimet në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tutje ka kërkuar nga Prokurorët e Shtetit  që merren me këtë çështje  me seriozitet dhe të punojnë për kthimin e dinjitetit të njerëzve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte reaguar pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai e ka quajtur trillim maskrën e Reçakut duke thënë se dënimi i tij është i frikshëm.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia