Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Thaçi: Është momenti i jashtëzakonshëm për të arritur marrëveshjen finale Kosovë – Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është krijuar momenti i jashtëzakonshëm për arritje të marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Thaçi ka shkruar se në një takim në Bruksel me përfaqësuesi i posaqëm i Bashkimit Evropian në bisedime Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, është informuar për lehtësim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ku sipas tij nënkupton njohje reciproke.

“Në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes”, ka shkruar presidenti në facebook.

Presidenti, tutje është shprehur mirënjohës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se roli i SHBA-ve mbetet vendimtar për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke.

Postimi i plotë i Thaçit:

Pas arritjes së marrëveshjes historike për normalizim ekonomik, më 4 shtator në Uashington, është krijuar momentum i jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Jam mirënjohës për rolin udhëheqës dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së në këtë proces. Roli i SHBA-së mbetet vendimtar edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizim dhe njohje reciproke.

Në këtë aspekt, ne gjithashtu i çmojmë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për arritjen e marrëveshjes finale.

Në një takim në Bruksel, nga z. Lajçak u informova për qëllimin e lehtësuesit që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke. Prandaj, kërkohet që të gjitha palët e përfshira në këtë proces të punojnë bashkarisht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes. HTH