Foto: ZPRK

Thaçi: Dhuna në familje është e papranueshme

Duke iu referuar vrasjes që ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku ka mbetur e vrarë një grua, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë.

“Shpreh keqardhje të thellë për rastin e fundit në Prizren, derisa familjes i shpreh ngushëllimet në këto momente shumë të vështira”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Më tej presidenti Thaçi ka thënë se nuk mund të ketë asnjë arsye për të ushtruar dhunë në familje e aq më pak për të marrë një jetë njeriu.

“Le të jetë kjo thirrje jo vetëm për organet e drejtësisë, por për tërë shoqërinë që të ndalet dhuna”, ka përfunduar ai.

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se vrasja me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:18.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.V., dhe viktima A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i vrasjes.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes kanë sekuestruar: një pistoletë, dy karikatorë si dhe 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook se gruaja që ka mbetur e vrarë në Prizren është nëna Diellza Hotit, këshilltare së kabinetit të tij.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

 

.