Foto: Abelard Tahiri/Facebook

Thaçi dhe drejtuesit e PDK-së nuk mbajnë maska as distancë, shkelin masat anti COVID-19 (FOTO)

Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, ka publikuar një fotografi nga një takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe drejtues të PDK-së.

Në fotografi janë kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, Adem Grabovci dhe ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili edhe e ka realizuar fotografinë.

Asnjëri prej tyre nuk i respekton rekomandimet e institucioneve për mbrojtje nga COVID-19. Përveç që nuk e mbajnë distancën, asnjëri nuk e ka të vendosur maskën për mbrojtje nga coronavirusi.

Ndërsa, sot Policia ka njoftuar se për mosrespektim të masave ndaj COVID-19 në 24 orët e fundit ka gjobitur mbi 1,200 qytetarë.

“Përgjithmonë krenar me brezin e njerëzve që themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe përmes luftës për liri, e vunë në vend sakrificën dhe të drejtën e popullit tonë, për Kosovën shtet të pavarur e sovran”, ka shkruar Abelard Tahiri në Facebook përkrah fotografisë.

Kujtojmë që në muajin qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Gjykata Speciale ka publikuar aktakuzën e pakonfirmuar për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Afati i fundit për konfirmim të kësaj aktakuze ka qenë në muajin tetor por kjo Gjykatë nuk ka dhënë asnjë informacion nëse është konfirmuar apo është hedhur poshtë aktakuza për Thaçin e Veselin.