Thaçi dekoroi ambasadorin Richard Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell.

“E dekoroi ambasadorin Richard Grenell me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e jashtëzakonshëm për realizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi presidenti Thaçi.

Thaçi deklaroi se atë që të tjerët nuk e arritën, ambasadori Grenell e bëri shpejtë, mirë dhe saktë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do të sjellë më shumë paqe, stabilitet, zhvillim ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha Thaçi.

Ai tha se është shumë I lumtur që për dy vite kanë punuar ngushtë me ambasadorin Grenell për ta finalizuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë.

“Jemi evropianët më të rinj, por në të njëjtën kohë jemi populli më pro-amerikan në botë. Jemi krenar! Sigurisht që një falënderim i veçantë shkon për presidentin Trump për lidershipin e tij në kërkim të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithë Ballkanit perëndimorë. Dhe natyrisht presim me padurim vizitën e presidentit Trump në Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se beson fuqishëm se SHBA-ja mund të arrijë edhe marrëveshjen finale politike për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti I bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, përfundoi presidenti Thaçi.

 

Nënshkruhet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë amerikane