Presidenti Hashim Thaçi në samitin e Zagrebit Foto: ZPRK-së

Thaçi deklarohet për takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur organizimin e takimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2 shtator në ShBA.

“E mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të ShBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka shkruar presidenti Thaçi në Twitter.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donaldt Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se do të takohen me palën serbe si dy vende të pavarura, për projekte madhore ekonomike.

Paralajmërimi për takimin në SHBA vjen pas anulimit të takimit paraprak më 27 qershor, pasi vetëm tri ditë më herët Gjykata Speciale bëri publike aktakuzën ndaj presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit për krime kundër njerëzimit. Menjëherë pas këtij njoftimi, Thaçi e kishte anuluar vizitën dhe pjesëmarrjen në takimin për dialogun në ShBA.

Ndërkaq, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar së fundi disa takime në Bruksel.