Thaçi bisedon me Erdoganin, i kërkon ndihmë për luftimin e coronavirusit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike sot më homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Këtë e ka bërë të ditur Thaçi përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit për luftimin e pandemisë Covid-19.

“Sapo përfundova një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, mikun tim dhe të popullit të Kosovës, Recep Tayyip Erdogan. Biseduam për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve për tejkalimin e kësaj situate dhe luftimin e pandemisë COVID-19”, ka shkruar ai.

Kreu i shtetit ka shtuar se ka kërkuar nga Erdogan mbështetje medicinale, logjistike dhe teknike për ta luftuar në mënyrë “më efektive këtë pandemi dhe për ta mbrojtur më mirë popullin e Kosovës”.

“Presidenti Erdogan u zotua se gjithçka që Turqia ka në dispozicion do të jenë në shërbim edhe të popullit të Kosovës. Gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e Presidentit Erdogan dhe popullit turk”, ka thënë në fund Thaçi.

Në Kosovë që nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.