Thaçi: Beteja kundër pandemisë nuk ka përfunduar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të dy personave që kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, si pasojë e coronavirusit.

“Me keqardhje mora lajmin për vdekjen e dy qytetarëve tanë, si pasojë e virusit COVID-19, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi ka shtuar se beteja kundër pandemisë së coronavirusit nuk ka përfunduar duke bërë thirrje që qytetarët t’i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Vazhdoni t’i respektoni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe vazhdoni të qëndroni në shtëpitë tuaja. Ruani veten dhe familjet tuaja. Kështu e ndihmoni edhe personelin shëndetësor”, ka përfunduar Thaçi.

Që nga 13 marsi, kur është shënuar personi i parë i prekur me coronavirus, e deri më sot, në Kosovë janë shënuar 145 persona të infektuar, 23 të shëruar dhe 3 të vdekur.