Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Thaçi: BE të lëvizë sa më shpejt për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë që Bashkimi Evropian duhet të lëvizë sa më shpejtë për t’i dhënë liberalizimin e vizave Kosovës.

Pas takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi ka thënë se qytetarëve të Kosovës po i bëhet ndëshkim i padrejtë.

“Bashkimi Evropian duhet të lëvizë sa më shpejt në çështjen e liberalizimit të vizave sepse po ndodh një padrejtësi dhe ndëshkim i padrejtë për qytetarët e Kosovës, sepse janë plotësuar të gjitha kriteret që të ndodhë liberalizimi i vizave”, tha Thaçi.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje ka  nisur një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë tri ditëve sa do të qëndrojë këtu, ai pritet t’i takojë të gjithë përfaqësuesit politikë në Kosovë.

Në anën tjetër Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë, ku qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen.