Thaçi: Albin Kurti ia hoqi taksën Serbisë, ia vuri Shqipërisë

Presidenti Hashim Thaçi sërish ka sulmuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Sipas presidentit, Kurti kundërligjshëm ka urdhëruar Policinë që të gjithë qytetarët që hynë nga Shqipëria në Kosovë të dërgohen 7 ditë në karantinë për të pritur testin për COVID-19.

“Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave”, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

“Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë”, ka shtuar ai.

Ky është publikimi i plotë i presidentit Thaçi:

“Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.

Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.

Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar!”