Thaçi akuzon Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në komunat veriore

Presidenti Hashim Thaçi ka drejtuar akuza ndaj Qeverisë në detyrë në lidhje me menaxhimin e situatës në komunat e veriut të Kosovës në kohë pandemia.

Sipas Thaçit, Qeveria në detyrë nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve të Kosovës.

Thaçi ka kërkuar nga Qeveria që të sigurojë se masat po zbatohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës

Ky është reagimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi:

Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.

Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës.

Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. HTH