Thaçi: 19 vjet më parë Kosova hyri në një epokë të re historike

Sipas Thaçit, largimi i forcave ushtarake të Serbisë, hyrja e trupave të NATO-s, kthimi i popullatës së zhvendosur gjatë luftës shënuan hapat e parë të rindërtimit të Kosovës Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në 19 vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë është shprehur se para 19 vjetëve, vendi ka hyrë në një epokë të re historike.

“Pas një fushate bombardimesh prej 78 ditësh mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, si dhe me arritjen e Marrëveshjes së Kumanovës, forcat e aleancës veriatlantike të NATO-s hynë në Kosovë. Para 19 vjetësh Kosova hyri në një epokë të re historike, të çlirimit dhe lirisë, falë rezistencës gjithëqytetare, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkrahjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteteve të BE-së dhe intervenimit të NATO-s”, është shprehur Thaçi.

Sipas të parit të vendit, largimi i forcave ushtarake të Serbisë, hyrja e trupave të NATO-s, kthimi i popullatës së zhvendosur gjatë luftës shënuan hapat e parë të rindërtimit të Kosovës që për dy vite përjetoi shkatërrime të mëdha materiale, krime, masakra, gjenocid dhe spastrim etnik.

Presidenti më tutje është shprehur se Kosova sot synon anëtarësimin dhe integrimin në institucione euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në të gjitha organizatat e OKB-së, si gjitha shtetet dhe kombet e lira.

Sot bëhen 19 vjet që kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë për t’i dhënë fund masakrave dhe shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe (ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve) dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve shqiptarë.